1-15 / Veçoritë e Aliut (Khasais Ali) – Imam Nesaiu

Libri: Khasais Ali.
Autor: Imam Nesaiu

Hadithet 1 deri 15.

 

کتاب_خصائص_امیرالمؤمنین

 

Namazi i Aliut

 

  1. Aliu ka thënë:

“Unë isha i pari që kam falur namaz me Resulullahun (s.a.v.s.).”

 

2.. Zejd ibn Erkam ka thënë:

“I pari që është falur me Resulullahun (s.a.v.s.) është Aliu (k.w.).” Dhe në një vend tjetër ka thënë: “I pari i cili është bërë musliman ishte Aliu.”

 

  1. Zejd ibn Erkam ka thënë:

“I pari i cili është musliman me Resulullahun (s.a.v.s.), është Ali ibn Ebi Talib.

 

  1. Zejd ibn Erkam transmeton:

“I pari i cili është bërë musliman, është Aliu.”

 

  1. Zejd ibn Erkam ka thënë:

“I pari, i cili është falur me Resulullahun (s.a.v.s) ka qenë Ali ibn Ebi Talib.”

Në një vend tjetër ai thotë:

“I pari i cili është bërë musliman është Aliu.”

 

  1. Jahja ibn Afif (el-Kindi) tregon që Afif ka thënë:

Gjatë kohës së Xhahilietit (koha injorancës – para islamit), unë shkova në Meke dhe qëndrova me Abas ibn Abdul-Muttalibin. Kur dielli u ngrit në qiell gjersa po shikoja Qabenë, një burrë i ri erdhi, shikoi kah qielli dhe u ndal duke qenë i drejtuar kah Kiblja. Disa momente më vonë, një djalë i ri erdhi dhe qëndroi në anën e djathtë të tij. Disa momente më vonë, erdhi një grua dhe u ndal pas këtyre dyve. Kur burri dhe djaloshi u përkulën, edhe gruaja u përkul. Kur burri u drejtua, edhe ata dy bënë njësoj.  Kur burri u ra në sexhde, edhe ata dy ranë në sexhde me të. Kur e pashë këtë, i thash Abbasit, “Sa gjë e mirë!” Abbasi më tha, “(po), gjë e mirë! A e di kush është ai burri i ri?” Ai tha, “Jo nuk e di.” Ai tha, “Ai është Muhammed ibn Abdullah ibn Abdulmuttalibi, nipi im. A e di kush është djaloshi?” Unë iu përgjigja negativisht. Ai tha, “Ai është Ali ibn Ebi Talib ibn Abdulmuttalib, nipi im. A e di kush është gruaja?” Unë thash, “Nuk e di.” Ai tha, “Ajo është Hatixhja e bija e Huvejlidit, gruaja e nipit tim (Muhammedit). Nipi im më ka treguar që Zoti i tij është Zoti i qiejve dhe i tokës dhe Ai e ka urdhëruar atë për këtë fe. Pasha Allahun, në tërë fytyrën e tokës nuk ka përveç këtyre treve në këtë fe.”

 

  1. Aliu (k.w.) ka thënë:

“Unë jam rob i Allahut dhe vëllai i të Dërguarit të Tij. Unë jam Siddik Ekber (më i besueshmi), askush nuk e pretendon këtë gjë pas meje, përveç gënjeshtarit. Unë e kam falur namazin shtatë vite para të tjerëve.”

 

Adhurimi i Aliut

  1. Aliu ka thënë:

“Nuk e di askënd prej këtij umeti, pas Pejgamberit, që e ka adhuruar Allahun përveç meje. Unë e kam adhuruar Allahun shtatë vite para se ndokush prej këtij umeti ta adhuronte Atë.”

 

Pozita e Aliut tek Allahu

  1. Aisha bint Sa’d e ka dëgjuar babanë e saj të thotë:

“Ditën e Xhuhafes, Resulullahu (s.a.v.s.) ngriti dorën e Aliut dhe bëri një fjalim. Pasi e lavdëroi dhe falënderoi Allahun, ai tha: “O njerëz, unë jam përgjegjësi juaj!” Njerëzit thanë, “Ashtu është ja Resulullah.” Atëherë ai mori dorën e Aliut dhe e ngriti lartë dhe tha, “Ky është pasuesi im dhe përfaqësuesi im. Me të vërtetë Allahu e mbështet atë dhe është armik i kujtdo që tregon armiqësi ndaj tij.”

 

  1. Enes ibn Malik ka thënë:

“Një ditë Resulullahu (s.a.v.s.) kishte një zog (të pjekur) për të ngrënë. Ai tha, “O Allah, më sill më të dashurin Tënd prej të gjithë krijesave Tua të hajë me mua nga ky zog!” Ebu Bekri erdhi, por ai (s.a.v.s.) nuk i dha leje të hyjë, Omeri erdhi por ai nuk i dha leje të hyjë, dhe pastaj erdhi Aliu (k.w.) dhe ai i dha leje atij të hyjë (e të hajë me të).”

 

  1. Një ditë, Muavia e pyeti Sa’din, “Çka të pengon ty ta shash Ebu Turabin (Imam Aliun)?” Ai tha, “Për sa kohë t’i mbaj mend tre gjërat që Resulullahu (s.a.v.s.) ka thënë, asnjëherë s’do ta shaj atë. Nëse do kisha një prej tyre, do kishte qenë më mirë se [të kisha] deve të kuqe. E kam dëgjuar Resulullahun (s.a.v.s.) duke i thënë atij, kur ai e la atë në Medine në njërën prej betejave të tij, kur Aliu i tha atij, “Ja Resulullah, a po më lë mua me gratë dhe fëmijët?”, (ai s.a.v.s. i tha), “A nuk je i kënaqur që të jesh si Haruni për Musain vetëm se nuk do të ketë Pejgamber pas meje?” Dhe unë e kam dëgjuar atë të thotë në ditën e [betejës së] Hajberit, “Unë do t’ia jap flamurin një njeriu që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë.” Ne pritëm, por ai (Pejgamberi s.a.v.s.) ka thënë, “Thirreni Aliun të vij tek unë.” Ai erdhi dhe kishte kallje (pezmatim) në sy. Ai ia bëri syrin më pështymën e tij dhe ia dha atij flamurin. Dhe (së treti), kur ajeti i pastrimit zbriti “Allahu dëshiron që t’i shmangë prej jush mëkatet o familje (e Pejgamberit), dhe t’ju pastrojë plotësisht.” [el-Ahzab 33:33], Resulullahu (s.a.v.s.) e thirri Aliun, Fatimen, Hasanin dhe Husejnin dhe deklaroi, “O Allah, këta janë ehli bejti im.”

 

  1. Sa’d ibn Ebi Wekkasi ka thënë:

“Isha duke ndejt (me ca njerëz), disa prej tyre e shanë Aliun. Unë thash, “E kam dëgjuar Resulullahun (s.a.v.s.) t’i thotë tre gjëra atij (Aliut), nëse do e kisha njërën prej tyre, do të ishte më mirë për mua se sa të kem deve të kuqe. E kam dëgjuar duke thënë, “Ai është për mua si Haruni për Musain, vetëm se nuk ka Pejgamber pas meje,” dhe e kam dëgjuar duke thënë, “Nesër, unë do t’ia jap flamurin një njeriu që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë,” [dhe ia ka dhënë Aliut – sh.p.], dhe e kam dëgjuar të thotë, “Kush më ka mua zotëri, e ka Aliun zotëri.”

 

  1. Sa’di ka thënë:

“Resulullahu (S.a.v.s.) ka thënë: “Do t’ia jap flamurin njërit prej jush që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë, dhe përmes të cilit Allahu do të na jep fitoren.” Kur e dëgjuam këtë, sahabët e tij pritën që ata të ishin ky person, por ai (s.a.v.s.) ia dha flamurin Aliut.”

 

  1. Abdurrahman ibn Ebi Lejla transmeton që babai i tij i ka thënë Aliut:

“Njerëzit të qortojnë që del jashtë në të ftohtë (dimër) me vetëm dy këmisha të holla dhe del në të nxehtë (verës) me rroba të trasha.” Ai më tha mua, “A nuk ishe me ne (në betejë) në Hajber? Unë i thash, “Po, isha.”  Ai tha, “Resulullahu (s.a.v.s.) e dërgoi Ebu Bekrin dhe i dha atij flamurin, por ai u kthye (i mundur), pastaj ai dërgoi Omerin dhe i dha atij flamurin por ai u kthye me ushtrinë (i mundur). Pastaj Resulullahu (s.a.v.s.) tha “Unë do t’ia jap flamurin një njeriu që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë dhe ai nuk është ikacak.” Ai (s.a.v.s.) pastaj dërgoi dikë për mua, dhe unë kisha pezmatim në sy. Unë i thash, “I kam sytë e pezmatuar.” Ai m’i bëri sytë me pështymën e tij dhe tha, “O Allah, mbroje këtë nga i dëmi i të nxehtit dhe të ftohtit!” Pas kësaj, unë s’kam vuajtur asnjëherë nga i nxehti as nga i ftohti.”

 

  1. Abdullah ibn Burejdeh transmeton nga babai i tij, Burejdeh, se ka thënë:

Ne rrethuam Hajberin. Ebu Bekri mori flamurin, por u mposht. Të nesërmit, Omeri mori flamurin edhe ai u mposht. Atë ditë ushtria ishin të stresuar dhe dëshpëruar. I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) atëherë i tha, “Nesër do t’ia jap flamurin një njeriu që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë, dhe i cili nuk do të kthehet prapa pa arritur fitore.” Ne kaluam natën rehat duke pritur fitore ditën e nesërme. Në mëngjes, i Dërguari i Allahut fali namazin e sabahut dhe pastaj u ngrit dhe kërkoi t’ia sillnin flamurin, ndërsa njerëzit ishin ende në rreshta (të namazit). Nuk kishte asnjë në mesin tonë, që kishim pozitë tek i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.), e që nuk dëshironte të ishte personi që do ta mbante flamurin.  Ai e thirri Ali ibn Ebi Talibin, i cili kishte kallje në sy atë ditë. Kur ai erdhi, Pejgamberi (s.a.v.s.) ia bëri sytë me pështymën e tij, ia fërkoi sytë, dhe ia dha flamurin, dhe Allahu iu dha fitore në duart e Aliut. Unë (Burejdeh) isha njëri prej atyre që kam pasur dëshirë (shpresoja) të më jepej flamuri.”

Virtytet e Fatimes (Fadail Fatimah) – Ibn Shahin

Fada’il Fatima

Virtytet e Fatimes

 

Udhëheqësja e të gjitha femrave pas Merjemit,
dhe e bija e Resulullahut (s.a.v.s.)

 

Autor: Ebu Hafs Omer ibn Ahmed ibn Uthman ibn Ejjub ibn Shahin.

Përktheu: Fatih Ibrahimi

Burimi: “The Perfect Family: Virtues of the Ahl al-Bayt”, Khalid Williams.

 

Bismilahi Rrahmani Rrahim.

Continue reading