Virtytet e Fatimes (Fadail Fatimah) – Ibn Shahin


Fada’il Fatima

Virtytet e Fatimes

 

Udhëheqësja e të gjitha femrave pas Merjemit,
dhe e bija e Resulullahut (s.a.v.s.)

 

Autor: Ebu Hafs Omer ibn Ahmed ibn Uthman ibn Ejjub ibn Shahin.

Përktheu: Fatih Ibrahimi

Burimi: “The Perfect Family: Virtues of the Ahl al-Bayt”, Khalid Williams.

 

Bismilahi Rrahmani Rrahim.

Menjëhershmëria e Fatimes në nënshtrimin ndaj Allahut dhe Resulit të Tij, dhe bujaria e saj e pashoqë

 

Të enjten, 12 Dhul-Hixhe 462H, El-Sherif Ebu el-Husejn Muhammed ibn Ali ibn Muhammed ibn Ubejdallah el-Muhtedij na ka treguar me fjalët e tij, diçka që kishte dëgjuar drejtpërsëdrejti (thena[242]) nga Ebu Hafs Umer ibn Ahmed ibn Uthman ibn Ahmed ibn Ejjub ibn Ezdad ibn Siraxh ibn Abdurrahman el-Merwarudhij, i njohur si Ibn Shahin, i cili transmeton drejtpërsëdrejti:

 

  1. Thewban transmeton:

 

E Bija e Hindit erdhi tek Resulullahu (s.a.v.s.) duke bartur unaza të mëdha në gishtat e saj. Resulullahu (s.a.v.s.) filloi të godas duart e saj, kështu që ajo shkoi tek Fatimja për t’u ankuar rreth asaj që Resulullahu kishte bërë. Fatimja mori një zinxhir nga qafa e saj dhe i tha “Ebu Hasani ma ka dhënë këtë.” Resulullahu hyri dhe e pa zinxhirin në dorën e saj dhe i tha: “Fatime, a do ishe e kënaqur nëse njerëzit thonë që e bija e të Dërguarit të Allahut kishte një zinxhir të zjarrit në dorën e saj?” Ai pastaj doli prej aty, pa u ulur. Fatimja menjëherë e dërgoi zinxhirin në treg për ta shitur, dhe pastaj me ato para bleu një rob dhe e liroi atë. Resulullahu (s.a.v.s.) u informua për këtë, dhe tha, “Lavdërimi i takon Allahut, i cili e shpëtoi Fatimen nga zjarri.”

 

  1. Thewban transmeton:

 

E bija e Hindit erdhi tek Resulullahu (s.a.v.s.) duke bartur unaza të mëdha prej ari në gishtat e saj… (hadithi pastaj vazhdon njësoj).

 

Udhëtimet e Resulullahut (s.a.v.s.) fillonin dhe mbaronin me Fatimen, dhe deklarimi unik i Resulullahut për Fatimen “nëna dhe babai im t’u bëftë Kur’ban”

  1. Nafiu, prej Ibn Omerit:

 

Kur Resulullahu (s.a.v.s.) nisej për udhëtim, personi i fundit që ai e përshëndeste ishte Fatimja dhe kur kthehej, personi i parë që e vizitonte ishte Fatimja. Kur ai u kthye nga ekspedita e Tabukut, [ai pa që] ajo kishte blerë një perde dhe e kishte lyer me shafran, ka varur një perde mbi derë dhe kishte shtrirë një tepih në dyshemenë e shtëpisë së saj. Kur Resulullahu (s.a.v.s.) e pa këtë, ai u kthye prapa dhe shkoi në shtëpi. Fatimja dërgoi dikë për Bilalin, dhe i tha: “Shko dhe pyete çfarë e bëri të largohej prej derës time.” Bilali shkoi tek Resulullahu (s.a.v.s.), dhe ai i tha: “E pash çfarë kishte bërë.” Bilali u kthye tek ajo dhe i tregoi asaj për këtë, kështu që ajo shqeu perdet dhe gjërat tjera që kishte blerë, dhe i ndërroi rrobat e saj të vjetra të rreckosura. Bilali i tregoi Resulullahut (s.a.v.s.) këtë, dhe ai (s.a.v.s.) shkoi tek shtëpia e saj dhe i tha: “Kështu duhet të jesh, nëna dhe babai im t’u bëftë kurban!”[243]

 

  1. Aisha transmeton:

 

Aisha i tha Fatimes, “Më trego, pse anove sipër Resulullahut dhe qave dhe pastaj anove sipër tij dhe qeshe?” Ajo u përgjigj: “Ai më tregoi që ai do të ndërroj jetë prej kësaj sëmundjeje, kështu që unë qava. Pastaj ai më tregoi që unë do të jem e para prej familjes së tij që do t’i bashkëngjitëm atij, kështu që unë qesha. Pastaj ai më tha: “Ti je udhëheqësja e femrave në parajsë pas Merjemit, bijës së Imranit”, kështu që unë qesha.

 

  1. Aisha transmeton:

 

Aisha i tha Fatimes: “Më trego pse anove sipër të Dërguarit të Allahut dhe qave, e pastaj qeshe?” Ajo iu përgjigj: “Ai më tha që do të ndërroj jetë prej kësaj sëmundjeje, kështu që qava. Pastaj më tha që do të jem e para e familjes së tij që do t’i bashkëngjitëm atij dhe që jam udhëheqësja e femrave të parajsës pas Merjemit, bijës së Imranit, kështu që qesha.”

 

  1. Aisha transmeton:

 

Aisha ka thënë: “E pyeta Fatimen rreth qarjes së saj kur Pejgamberi (s.a.v.s.) i pëshpëriti asaj dhe për qeshjen e saj (menjëherë pasi qau). Ajo iu përgjigj, “Pejgamberi (s.a.v.s.) më tha që së shpejti do të ndërroj jetë, kështu që unë qava. Pastaj ai më tha që pas meje bijtë e mi do të jenë të rrethuar nga fatkeqësitë, kështu që unë qava. Pastaj ai më tha që do të jem e para prej familjes së tij që do t’i bashkëngjitëm atij, kështu që unë qesha.”

 

  1. Jahja ibn Xha’de transmeton:

 

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e thirri Fatimen (s.a.) gjatë sëmundjes së tij përfundimtare dhe i pëshpëriti diçka asaj, me ç’rast ajo qau. Ai pastaj i pëshpëriti edhe diçka asaj, me ç’rast ajo qeshi. Ata e pyetën për këtë, por ajo refuzoi t’u tregoj. Pasi kishte ndërruar jetë, ajo iu tregoi atyre për këtë gjë, duke thënë: “Ai (s.a.v.s.) më thirri dhe më tha, “Allahu i plotfuqishëm asnjëherë nuk e ka dërguar një Pejgamber pa i dhënë atij që do vij më pas vetëm gjysmën e jetëgjatësisë që Ai i dha të parit. Isa (a.s.) kaloi dyzet vite në mesin e izraelitëve, kështu që mua më mbesin 20, prandaj jam i sigurt që do të ndërroj jetë prej kësaj sëmundjeje. Për më tepër, Kur’ani më prezantohej çdo vit nga një herë, ndërsa këtë vit më është prezantuar dy herë.” Kështu që unë qava. Pastaj ai më thirri përsëri dhe më tha, “I pari prej familjes sime që do vij pas meje je tij”, kështu që unë qesha.”

 

Pejgamberi e ndau sekretin me Fatimen, dhe Fatimja e ndau sekretin me Umm Selemen.

 

  1. Umm Seleme transmeton:

 

Pas një kohe pas çlirimit [të Mekës], i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) e thirri Fatimen dhe i foli asaj në fshehtësi, me ç’rast ajo qau. Ai pastaj i foli përsëri asaj, dhe ajo qeshi. Umm Seleme thotë: “Unë nuk e kam pyetur atë për këtë gjë derisa i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kishte ndërruar jetë. Kur ai (s.a.v.s.) ndërroi jetë, unë e pyeta atë pse ajo kishte qarë dhe pastaj kishte qeshur. Ajo u përgjigj: “I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) më tha që ai do të ndërronte jetë, kështu që qava. Pastaj ai më tha që unë isha udhëheqësja e femrave në Parajsë mas Merjemit bijës së Imranit dhe unë qesha.”

 

  1. Muhammed ibn Abdallah ibn Amr ibn Uthman transmeton:

 

Fatimja ka thënë: “I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) më ka thënë: “Ti do të jesh e para prej familjes sime që do të më bashkëngjitësh, dhe do të jesh shoqëruesja ime në parajsë.”

 

 

Allahu e ka ndaluar zjarrin për Fatimen dhe pasardhësit e saj

 

  1. Abdallah ibn Mes’ud transmeton:

 

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Fatimja e ka ruajtur nderni e saj, kështu që Allahu e ka ruajtur pasardhësit e saj prej Zjarrit.”

 

  1. Hudhejfe ibn el-Jeman transmeton:

 

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Fatimja ka ruajtur nderin e saj, kështu që Allahu e ka ruajtur atë dhe pasardhësit e saj nga zjarri.”

 

  1. Talid ibn Asim – Zirr – Abdallah transmeton:

 

I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: Fatimja ka mbrojtur nderin e saj, kështu që Allahu ka mbrojtur atë dhe pasardhësit e saj nga zjarri.”

 

Fatimja është udhëheqësja e të gjitha femrave

 

  1. Hasani transmeton:

 

Imran ibn Husejn ka thënë: “Dola një ditë jashtë dhe e takova të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) duke qëndruar në rrugë. “O Imran,” më tha ai, “Fatimja është e sëmurë. A mund ta vizitosh atë?” Unë i thash: “Nëna dhe babai im t’u bëfshin kurban! Ku ka nder më të madh se kjo?” I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u nis dhe unë shkova me të. Kur erdhëm tek dera, ai tha: “Paqja qoftë mbi ty. A mund të hyj?” Ajo tha, “Dhe mbi ty. Hyr!” I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i tha, “Unë dhe kushdo që është me mua?” Ajo u përgjigj: “Pasha Atë i cili të dërgoi ty me të Vërtetën, nuk kam asgjë të veshur pos kësaj rrobe të jashtme.” I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) një pjesë rrobe të vjetruar me vete, të cilën ia dha asaj, dhe i tha: “Mbuloje kokën me këtë.” Ajo e bëri këtë gjë dhe na lejoi të hyjmë. Pastaj ai (s.a.v.s.) hyri dhe unë hyra me të. Ai u ul afër kokës së saj dhe unë u ula afër tij. “Si je o bija ime?” i tha ai. Ajo iu përgjigj, “Pasha Allahun, o i Dërguar i Allahut, kam dhimbje dhe dhimbjen time e përkeqëson mungesa e diçkaje për të ngrënë.” Pastaj i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) qau dhe ajo qau, dhe unë qava me ta. Ai pastaj i tha, “Bija ime, bëj durim!” dy ose tre herë, dhe pastaj, “Bija ime, a nuk do të ishte e kënaqur të jesh udhëheqësja e femrave të të gjitha botëve?” “Ah e mjera unë,” tha ajo, “po Merjemja e bija e Imranit?” “Bija ime,” i tha ai asaj, “ajo është udhëheqësja e femrave të kohës së saj dhe ti je udhëheqësja e femrave të kohës tënde. Pasha Atë i cili më dërgoi mua me të Vërtetën, unë të kam martuar me një zotëri në këtë botë dhe zotëri në botën tjetër, të cilin nuk e urren askush veçse hipokritët.”

 

Familja e Fatimes është e bekuar me furnizim hyjnor

 

  1. Ebu Se’id transmeton:

 

Një ditë Aliu (Zoti ia ndriçoftë fytyrën) u ngrit në mëngjes dhe pyeti, “Oj Fatime, e ke diçka për të më dhënë për të ngrënë?” Ajo iu përgjigj: “Jo, pasha Atë i cili e nderoi babanë tim (s.a.v.s.) me pejgamberi, nuk kam asgjë për të të dhënë, dhe këto dy ditët e fundit nuk kemi pas asgjë përveç asaj që ta kam dhënë ty dhe këtyre dy djemve të mi në vend të vetes time.” “Oj Fatime”, tha ai, “pse nuk më ke treguar të të kisha gjetur diçka për ty?” Ajo iu përgjigj, “Më vinte turp para Allahut të të ngarkoj ty me diçka që nuk mund ta duroje.”

Kështu që ai e la atë dhe doli, duke pasur besim në Allahun dhe duke menduar më së miri për Të, dhe mori hua një dinar. Duke ecur me dinarin në dorën e tij, duke kërkuar diçka për të blerë për familjen e tij, ai pa Mikdadin. Ishte ditë e nxehtë dhe dielli e kishte djegur atë nga sipër [me rreze] dhe nga poshtë [nxehtësia e tokës]. Kur Aliu e pa atë, Aliu i bërtiti dhe i tha, “O Mikdad, çfarë të nxori jashtë në këtë kohë?” Ai iu përgjigj, “O Ebu Hasan, më lër të shkoj rrugës time e mos më pyet se ç’kam.” “Biri i vëllait tim,” i tha ai, “nuk bën që ta fshehësh situatën tënde prej meje.” “Meqë insiston,” tha Mikdadi, “pasha Atë i cili e nderoi Muhammedin me pejgamberi, unë dola sepse mu desh. E lash familjen duke qarë nga uria, sepse kur i dëgjova ata që varen prej meje duke qarë nuk munda të duroj e të qëndroj. Kështu që, dola në gjendje ankthi, duke u bredhur verbërisht. Kjo është gjendja dhe halli im.” Sytë e Aliut (k.w.) iu mbushën me lot, derisa lotët ia lagën mjekrën e tij. “Betohem në Atë që u betove ti,” tha ai, “që unë kam dal për të njëjtën arsye. E mora hua një dinar, kështu që, merre. Më mirë merre ti se unë.” Ai ia dha dinarin atij dhe u kthye, u nis për xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe qëndroi aty për namazin e drekës, ikindisë dhe akshamit.

Kur Pejgamberi (s.a.v.s.) përfundoi akshamin, ai kaloi kah Aliu në rreshtin e parë dhe e preku atë me këmbën e tij. Aliu u ngrit, e ndoqi Pejgamberin (s.a.v.s.) tek dera e xhamisë dhe e përshëndeti atë. Pejgamberi (s.a.v.s.) ia ktheu përshëndetjen dhe i tha: “O Ebu Hasan, a keni ndonjë gjë për të na dhënë për darkë, që të vij me ty?” Aliu mbeti i heshtur, nuk e dinte si të përgjigjej, për shkak të turpit ndaj Pejgamberit (s.a.v.s.), i cili e dinte situatën që e kishte detyruar atë të dilte jashtë [shtëpisë]. Kur ai e pa heshtjen e Aliut, i tha: “O Ebu Hasan, si është puna? Më thuaj jo, që të largohem, ose më thuaj po që të vij me ty?” Pastaj, prej dashurisë së pastër dhe mirësisë tha, “Jo, le të nisemi!”; sepse Allahu ia kishte shpallur Pejgamberit të Tij që ai do të hante me ta atë natë.

Aliu u pajtua, dhe Pejgamberi (s.a.v.s.) e mori për dore dhe u nisën së bashku për në shtëpi, ku e gjetën Fatimen (s.a.) në dhomën e saj të lutjeve pasi ishte falur, me një tenxhere prapa saj që nxirrte avull. Kur ajo dëgjoi zërin e Pejgamberit (s.a.v.s.) në shtëpi, ai doli nga dhoma e lutjeve dhe e përshëndeti atë. Ajo ishte më e dashura nga të gjithë njerëzit për të, dhe ai ia ktheu përshëndetjen asaj, ia lëmoi kokën me dorë dhe i tha, “si je sonte? Allahu të mëshiroftë! Na jep darkën tonë, dhe Allahu të faltë – gjë që sigurisht që e ka bërë!” Ajo mori tenxheren dhe e vuri para tyre. Kur Aliu e pa tenxheren dhe nuhati aromën e saj, ai i dha Fatimes një shikim të ashpër. “Sa shikim të ashpër, dhe sa mizor!” tha ajo. “Subhanallah! A mos kam bërë ndonjë mëkat ndaj teje që ta meritoj një zemërim të tillë?” “Çfarë mëkati mund të jetë më i madh se ai që ke bërë sot?” i tha Aliu. “A nuk je betuar në Allahun, herën e fundit që të pash, që nuk ke ngrënë dy ditë?” Ajo shikoi kah qielli dhe tha, “Zoti im e di, në qiellin e Tij dhe në tokën e Tij, që unë e kam thënë vetëm të vërtetën!” Aliu tha, “Atëherë prej nga erdhi kjo, sojin e të cilës s’e kam parë as s’e kam nuhatur, e as që kam ngrënë ndonjëherë diçka më të mirë?”

Pejgamberi (s.a.v.s.) vendosi dorën e tij të bekuar në mes shpatullave të Aliut dhe e lëvizte nga ana në anë, dhe i tha, “O Ali, ky është shpërblimi i dinarit tënd. Ky është shpagimi për dinarin tënd. Kjo është prej Allahut, ” “Allahu e furnizon kënd të dojë, pa llogari.” [3:37] Pejgamberi (s.a.v.s.) pastaj qau, dhe tha, “Lavdërimi i takon Allahut, i cili nuk lejoi që ju dy të braktisni këtë dynja pa të bërë ty (Ali) të përjetosh atë që e bëri Zekerijan të përjetoj, dhe ty Fatime të përjetosh atë që Ai e bëri Merjemen të përjetojë. “Sa herë që hynte Zekerijja te ajo në tempull, gjente ushqime te ajo.” [3:37]

 

Nxitja e veçantë e Pejgamberit (s.a.v.s.) për Fatimen dhe Aliun

 

  1. Enes ibn Malik transmeton:

 

Gjashtë muaj pasi Aliu martoi Fatimen, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) kalonte pranë shtëpisë së tyre dhe thoshte: “Ju thërras për namaz!” [pastaj recitonte] “Allahu dëshiron që t’i shmangë prej jush mëkatet o familje (e Pejgamberit), dhe t’ju pastrojë plotësisht.” [el-Ahzab 33:33]

 

Lufta dhe paqja e Pejgamberit (s.a.v.s.) për Fatimen

 

  1. Ebu Se’id el-Hudrij transmeton:

 

Pasi Aliu martoi Fatimen, Pejgamberi (s.a.v.s.) vinte tek dera e saj çdo ditë për dyzet ditë dhe thoshte, “Unë jam në luftë më këdo që ti je në luftë, dhe jam në paqe me këdo që ti je në paqe.”

 

Fatimja është pjesë e Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe lëndimi i Fatimes është lëndim i Pejgamberit

 

  1. Abdallah ibn el-Zubejr transmeton:

 

Aliu foli[244] rreth të bijës së Ebu Xhehlit dhe lajmet për këtë i arritën Pejgamberit (s.a.v.s.), kështu që ai tha, “Fatimja është pjesë e imja. Çka e lëndon atë, më lëndon mua, çka e ofendon atë, më ofendon mua.”

 

Pejgamberi (s.a.v.s.) e quan Aliun Ebu Turab

 

El-Minhal bin Amr transmeton:

 

  1. Në mes Aliu dhe Fatimes ndodhi një zënkë me fjalë, dhe ai doli nga shtëpia dhe shkoi në xhami dhe fjeti aty në dhe (tokë).[245] Pejgamberi (s.a.v.s.) shkoi për ta kërkuar por nuk e gjeti, kështu që shkoi tek shtëpia e Fatimes. Kur nuk e gjeti as aty, i tha asaj, “Mbase ka ndodhur diçka në mes juve dyve?” Ajo tha, “Po. Ai u zemërua dhe u nis për në xhami.” I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) shkoi në xhami dhe e gjeti Aliun duke fjetur në tokë. “O babai i dheut (Ebu Turab)”, i tha ai atij. “Pse je duke fjetur në pluhur? Pasha Allahun dhoma e bijës së të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) është më e mirë se pluhuri.” Kështu që ai u ngrit.

 


[242] Thena, është term Hanbelij që domethënë transmetim i drejtpërdrejtë, përmes të folurit ose shkrimit.

[243] Këtë thënie e kanë përdorur sahabët e Resulullahut ndaj tij, dhe këtu ai (s.a.v.s.) e përdor këtë shprehje për të bijën e tij, si shenjë treguese se çfarë domethënie ka ajo për të (s.a.v.s).

[244] Me fjalë tjera, e konsideronte për martesë.

[245] Ar. turab, që mund të jetë pluhur, dhe, tokë, ose lloç.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s