Pejgamberët janë të gjallë në varret e tyre!

Argumentet tekstuale për Jetën e Pejgamberit në varrin e tij

Nga: Shejh Gibril Fuadd Haddad

Përktheu: Ajlin Isaj

 

– Hadithi i parë:

“Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës trupat e Pejgamberëve (respektivisht ngrënien dhe prishjen e tyre)”[1]

Një version tjetër nga Ibn Maxhe ka këtë shtesë:

“Dhe Pejgamberi i Allahut është i gjallë dhe për të ka furnizim”

Bejhekiu e përmend gjithashtu në Sunen el-Kubra.

– Hadithi i dytë:

“Pejgamberët janë të gjallë në varret e tyre, duke iu lutur Zotit të tyre”.[2]

Hafidh Sujutiu shton: “Jeta e Pejgamberit s.a.v.s. në varrin e tij, dhe (po ashtu) e pejgambereve të tjerë të njohur është e ditur për ne si njohje definitive (`ilmen kat`ijjen).”

– Hadithi i tretë:

“(Natën në të cilën u ngrita tek Zoti im) e pashë Musain duke qëndruar në këmbë në lutje në varrin e tij”[3]

– Hadithi i katërt:

“Nuk ka rob që më jep selam përveç se Allahu ma kthen shpirtin që t’ia kthej selamin atij.”[4]

Një shenim në lidhje më përkthimin “t’ia kthej”, Imam es-Sujutiu thotë që “radda” do të thotë “ala al-dewam” d.m.th., përgjithmonë e jo përkohësisht. Me fjalë të tjera: Allahu nuk ia kthen shpirtin (Ruh), e ia merr përsëri, pastaj ia kthen përsëri e ia merr përsëri, por Ai ia ka kthyer shpirtin Pejgamberit përgjithmonë, kështu që Pejgamberi është gjithmonë gjallë.

Imam es-Sahaviu, nxënës i Ibn Haxherit thotë: “Ne (muslimanet) besojmë dhe konfirmojmë se ai (s.a.v.s.) është gjallë, dhe për të ka përkujdesje në varrin e tij.”[5].

Ibn el-Kajimi thotë: “është pjesë e dijës së detyrueshme të dish se trupi i tij është i butë dhe i lagësht (d.m.th. sikur gjatë jetës) dhe kur Sahabët e pyetën atë “Si të vjen përshendejta jonë ty pasi trupi të të jetë bërë pluhur?“ Ai u përgjigj: “Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës trupat e pejgambereve”[6]

Ibn Haxher el-Hejthemi shkruan në el-Xhevher el-Munezzem:

“Provat dhe tekstet e transmetuara janë vërtetuara si autentike në gradën më të lartë, që Profeti është i gjallë dhe i butë, që ai agjëron dhe e kryen haxhin çdo vit, dhe që ai pastrohet me ujin që bie mbi të”

– Hadithi i pestë:

“Jeta ime është një mirësi e madhe për ju, ju do të rrëfeni për mua, dhe juve do t´ju rrëfehët për mua, dhe vdekja ime është një mirësi e madhe për ju, veprat tuaja do të më paraqiten mua (në varrin tim) dhe nëse shoh mirësi në to, do ta falënderoj Allahun, e nëse shoh diçka tjetër atëherë do t’i kërkoj falje Allahut (për ju)”[7]

– Hadithi i gjashtë:

“Kush më dërgon salavate pranë varrit tim e dëgjoj atë, ndërsa kush më dërgon salavat nga larg, unë jam i informuar për atë”

Ibn Haxheri thotë në Fet’h el-Bari 6:379: “Ebu el-Sheikh e citon këtë me një zinxhir të mirë (sened xhejjid) dhe Bejhekiu e përmend këtë në Hajatej-Enbija me “ublightuhu“ në fund.

– Hadithi i shtatë:

“Kushdo që viziton varrin tim, për mua bëhet e detyrueshme ndërmjetësimi (shefati) për të”[8]

Ky është një prej teksteve argumentuese që kanë përdorur ulemaja për të deduktuar detyrimin ose rekomandimin për të vizituar varrin e Pejgamberit s.a.v.s. dhe për ta konsideruar atë si “Wasileh” (ndërmjetës). Shih kapitullin mbi vizitimin e varrit të Profetit në librin e Neveviut “el Edhker” dhe librin e Kadi Ijadit “esh-Shifa“. Sahaviu thotë në “El-kawl el-Bedi“ fq. 160: “Theksimi dhe inkurajimi për të vizituar varrin e tij fisnik është përmendur në shumë hadithe, edhe pse do të mjaftonte edhe sikur të ekzistonte vetëm ky hadith, ku Pejgamberi i Zotit premton se ndërmjetësimi i tij bëhet i detyrueshëm për këdo që e viziton atë, dhe Imamët janë në pajtueshmëri të plotë që prej kohës së largimit të tij [nga kjo botë] deri në ditët tona, se kjo (vizita e varrit te Pejgamberi) është një nga veprat më të mira për t´iu afruar Allahut”.

– Vizitimi i varreve:

Davud ibn Salih thotë: “(Halifi i Umejidëve) Mervan (ibn el-Hakam) pa një dite një burrë duke vendosur fytyrën e tij mbi varrin e Pejgamberit. Ai tha: “A e di se çfarë po bën?” Kur u afrua akoma, ai e pa se burri ishte Ebu Ejub el-Ensariu. Ai iu përgjigj: “ Po, kam ardhur tek Pejgamberi, jo tek një gurë. Kam dëgjuar Pejgamberin të thotë: “Mos qani për fenë, nëse njerëzit e saj e pretendojnë udhëheqjen (weljehu) e saj, por qani për të nëse njërez të tjerë (përveç njerëzve të fesë) e pretendojnë atë.”[9]

Puthja e varrit, fërkimi ose përqafimi i tij, nuk është as haram as risi (bidat), ndonëse është e papëlqyeshme që njerëzit të veprojnë ashtu.

Paqja dhe Bekimi qofshin mbi të Dërguarin s.a.v.s., familjen e tij, dhe Sahabët e tij.


 

Shënime:

[1] Hadith sahih i transmetuar nën autoritetin e Avs ibn Awv el-Thekafiut nga: Ahmedi ne Musned-in e tij, Ibn Ebi Shejbeh në Musenefin e tij, Ebu Davudi në Sunenin e tij, Nisaiu në Sunenin e tij, Ibn Maxhe në Sunenin e tij, Darimiu në Musnedin e tij, Ibn Huzejmeh në Sahihun e tij, Ibn Hibani në Sahihun e tij, Hakimi në Mustedrek, Taberaniu në Kebirin e tij, Bejhekiu në Hajat el-enbija, Sujutiu në Enba’el-Edhkije, Dhehebiu i cili konfirmon vlerësimin e Hakimit, dhe Neveviu në Edhker

[2] Hadithi sahih, i transmetuar nën autoritetin e Enes ibn Malikut (r) nga: el-Bezar në Musnedin e tij, Ebu Ja’la në Musnedin e tij, Ibn Adi në El-Kamil fi el-Du’afa’, Temem er-Raziu në el-Fewa’id, Bejhekiu në Hajat el-Enbija fi Buburihim, Ebu Nu’ajm në Ahber Asbahan, Ibn Asakir në Tarih Dimeshk, Hejthemiu në Mexhma uz-Zeva’id (8:211), Sujutiu në Enbael-edhkija bi-hajatel enbija’ (5), dhe Albani në Silsiletel-ahadith el-sahihah (621)

[3] Hadith Sahih i transmetuar nën autoritetin e Enesit dje të tjerëve nga Muslimi, Nesaiu dhe Bejhekiu në Dalail el-Nubuveh dhe Hajat el-Enbija. Disa e përmendin fillimin (në kllapa) disa e lënë atë mënjanë. Neveviu thotë në shpjegimin e tij për këtë hadith: “Puna e botës tjetër është vetëm dhikr (përmendje) dhe dua (lutje)“

[4] Nga Ebu Hurejra, tek Ebu Davudi me një zinxhir (sened) të fortë (sahih). Ky hadith është përdorur nga dijetaret si provë ligjore për vlefshmërinë dhe modalitetin e vizitimit dhe përshëndetjes së Pejgamberit, edhe pse hadithi nuk e përmend nevojën për ta vizituar fizikisht Pejgamberin në Medine.

[5] El-kawl el-Bedi, fq. 161

[6] er-Ruh, fq. 25

[7] Kadi Ijadi e citon këtë në “esh-Shifa“ (1:56 botimin e Amanit) dhe Sujutiu thotë në veprën “Menahil el-sefa fi tehrixh ahadith esh-shifa” (Bejrut 1988/1408) fq 31 (#8): “Ibn Ebi Usame citon në Musnedin e tij prej hadithit të Bekr ibn Abdullah el-Meziniit, dhe el-Bezari prej hadithit të Ibn Mes’udit me një zinxhir të fortë (sahih)

Është cituar në Shifa es-Sikam fi zijaret hajr el-enam prej Subkiut: (Shërimi i të sëmurit në lidhje me vizitën e Krijesës më të më mirë), ku ai përmend se Bekr ibn Abdullah el-Mezini e raporton atë, dhe Ibn el-Xhevzi e përmend atë nga Bekr dhe gjithashtu nga Enes ibn Maliku në kapitullin e parafundit të pjesës se parafundit te al-Wafa, të dy hafizët, pa e dhënë isnadin. Megjithatë Ibn el-Xhevziu e specifikon në parathënien e el-Vefasë se ai ka përdorur vetëm hadithe sahih në librin e tij. Ai përmend gjithashtu versionin nga Avs ibn Avs: “Veprat e njërëzve me tregohen mua çdo të enjte, në mbrëmjen (që i paraprin) të Premtës. Shih po ashtu Fet’h el-Beri 10:415, Tergib wel Terhib nga Mundhiri 3:343, dhe Ahmedi 4:484.

[8] Transmetuar nga Darekutni, el-Dulabi, Bejhekiu, Hatib el-Bagdadi, el-Ukejli, Ibn Adij, Taberaniu, dhe Ibn Huzejmeh në Sahihun e tij, të gjithë përmes zinxhirëve të ndryshëm, që shkojnë deri tek Musa ibn Hilal el-Abdijj nga Ubejdullah Ibn Omer, të dy nga Nafiu, dhe Ibn Omeri.

Dhehebiu e konsideron këtë zinxhirin hasen (të mirë), sic është transmetuar në “Mizan el-itidal“ vëll. 4 fq. 226 : “Huwe salih el-hadith” që do të thotë: “Ai (Musa ibn Hilal) është i mirë në transmetimet e tij” Sahaviu konfirmon këtë në “Mekasid el-hasene”, ndërsa Subkiu e vlerëson atë Sahih sipas Samhudit në Se´edet el-dejeren 1:77. Ibn Adij thotë: “ Ai (Musa ibn Hilal) me shumë gjasë është i pranueshëm; disa njërëz e kanë konsideruar atë “të panjohur“ por kjo nuk është e vërtetë. Ai është një nga mësuesit e Imam Ahmedit dhe shumica e tyre janë të besueshëm “el-Kamil fi al-du´afa (6:2350) Albani e deklaron atë “thabin al-riwaya“ (me besueshmëri të qëndrueshme) në Irwv-në e tij 4:338. Rreth Ubejdullah ibn Omer el-Omeri: Dhehebiu e konsideron atë “Seduk hasen el-hadith“ (i besueshëm, nga transmetuesit e mirë) el-Mughni 1:348; Sahaviu thotë rreth tij “salih el-hadith“ (transmetues i saktë) el-tuhfetel-latifet 3:366; – Ibn Mu’ini i ka thënë Darimiut në lidhje me të: “salih thikat” (i vërtetë dhe i besueshëm) el-kamil 4:1459.

[9] Ahmedi 5:422, Hakimi (Mustedrek 4:155); Hakimi edhe Dhehebiu thonë se është sahih. është cituar në këtë mënyrë nga Subkiu (shifa es-sikam, fq. 126), Ibn Tejmije (el-Munteka 2:216f.) dhe Hejthemiu (el-Zavaid 4:2)

Advertisements